Strategjia për veriun e Kosovës, e hartuar nga qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare duhet të kalojë në një fazë konsultimesh me të gjithë faktorët relevantë, përfshirë këtu edhe autoritetet e Beogradit, thonë zyrtarë të Zyrës Civilë Ndërkombëtare në Prishtinë.
Zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare kanë deklaruar për Radion Deutsche Welle, se me planin e tyre për veriun, ata dëshirojnë që në këtë pjesë të vendoset rendi dhe ligji.
”Ne dëshirojmë që në veri të Kosovës të ketë mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik. Ne dëshirojmë që të krijojmë komunën veriore të Mitrovicës, e cila do të ketë kompetenca për komunitetin që jeton aty. Në këtë linjë, ne dëshirojmë që të ecim përpara dhe të konsultohemi edhe me Beogradin, në mënyrë që strategjia për veriun të ketë sukses", shprehen në një deklaratë të shkruar, zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Pieter Feith.
Qeveria e Kosovës, e cila është bashkë-hartuese e strategjisë për veriun e Kosovës, nuk e kundërshton prerazi idenë që Zyra Civile Ndërkombëtare të konsultohet me Beogradin për këtë strategji. Mirëpo zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka deklaruar për DW se implementues të kësaj strategjie duhet të jenë vetëm institucionet e Kosovës.
“Qasja jonë në veri është pozitive, nuk është kundër askujt, por në radhë të parë është për të mirën e popullatës lokale në atë pjesë. Por gjithsesi ne do ta ruajmë tërësinë territoriale, sovranitetin tonë, dhe Beogradi nuk do të ketë mandat, as vendosës e as veto mbi zhvillimet që ndodhin në territorin e Kosovës”, tha Kuçi.
Beogradi zyrtar përkrah strukturat paralele serbe në Kosovë dhe në mbështetje të tyre tashmë ka ndarë një buxhet që kap shumën miliona euro. Ndërkohë, strategjia për Veriun parashikon shuarjen e këtyre strukturave.
Zëvendëskryeministri Kuçi përjashton çdo mundësi të futjes në biseda të drejtpërdrejta me Beogradin për shuarjen e strukturave paralele serbe, që ekzistojnë në veri të Kosovës. Ai tha se Beogradi vetëm mund të interesohet për serbët e Kosovës dhe këtë interesim mund ta shfaqë në raporte të mira fqinjësore me Kosovën.
Strategjia për veriun përfshin katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, reformimi i pushtetit lokal, që përfshin krijimin e komunës me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, instalimi i qeverisjes lokale edhe në tri komunat tjera veriore të Kosovës, Leposaviç, Zvecan dhe Zubin Potok si dhe përmirësimi i gjendjes sociale dhe ekonomike me investime të veçanta.
Strategjia për veriun e Kosovës do të diskutohet edhe në Grupin Ndërkombëtar për Kosovën, që më datën 8 do të mblidhet në Vjenë të Austrisë. Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në strategjinë e tyre planifikojnë që në pranverë të zhvillojnë zgjedhje lokale në Veri të Kosovës, ndërsa, në fokus do të jetë organizimi i zgjedhjeve për komunën e re serbe në veri të Mitrovicës.
Zyra Civile Ndërkombëtare tashmë po punon për krijimin e grupit përgatitor për komunën veriore të Mitrovicës dhe sapo të kompletohet ky grup mund të shpallet data e zgjedhjeve.
Përfaqësues nga Zyra Civile Ndërkombëtare thonë se në radhët e komunitetit serb në veri të Mitrovicës ka interesim për t'u përfshirë në ekipin përgatitor për krijimin e komunës dhe ata shpresojnë që në një fazë jo të vonshme ta marrin edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
"